Tiranë: Berisha i uron besimtarëve myslimanë Fitër Bajramin
Me rastin e Festës së Fitër Bajramit, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj. Liri Berisha, vizitoi sot në mesditë selinë e Komunitetit Mysliman në Tiranë. Kryeministri Berisha u prit nga Kryetari i këtij Komuniteti Haxhi Selim Muça dhe besimtarë të tjerë, të cilëve u përcolli urimet më të përzemërta për këtë ditë, të cilën ai e cilësoi një ditë të shenjtë dhe të bekuar, ku njeriu nderon sakrificën për Zotin, për veten, shoqërinë dhe familjen.
Me këtë rast, Kryeministri Berisha i drejtoi një mesazh urimi të gjithë besimtarëve myslimanë, në të cilin u shpreh: “Sot është një ditë e shenjtë, një ditë e bekuar. Shfrytëzoj rastin për t’iu uruar të gjithë besimtarëve mysliman shqiptarë, gëzuar këtë ditë të bekuar, por edhe gjithë besimtarëve të Zotit, gëzuar ditën e Bajramit, një ditë e madhe për të gjithë ata që kanë vetëdije se në themel të mirësisë qëndron sakrifica, sakrifica për veten, për familjen, për shoqërinë, për Zotin.
Le të urojmë ne të gjithë shqiptarët, kudo që janë, që të kenë një Bajram të gëzuar; të falënderojmë Zotin që e presim këtë ditë më mirë se kurrë. Shqiptarët festojnë Bajramin në prag të një ngjarje të madhe, lëvizjes së tyre të lirë në mbarë Evropën, por e festojnë edhe më të mëkëmbur, më optimistë, më të sigurt se kurrë të në ardhmen e tyre. Shqiptarët në Kosovë festojnë pasi çështja e tyre e drejtë ka marrë verdiktin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Pra, ka shumë arsye, janë njëmijë e një arsye, për të falënderuar Zotin në këtë ditë, për të pasur besim të madh e të plotë dhe për të uruar që Bajramin tjetër ta festojmë edhe më të gëzuar, edhe më të lumtur, edhe më të mëkëmbur, edhe më mirë”.
Shprendaj












0 Komente
Behu i pari qe komenton kete artikul - Kosovalbaner.Com.