Serbët e Shillovës të gatshëm të përfshihen në jetën institucionale
Serbët e Shillovës, sidomos të rinjtë e këtij fshati, janë shprehur të gatshëm të përfshihen në jetën institucionale të Gjilanit dhe të jenë pjesë e ndërtimit të vendit. Këtë gatishmëri dhe përkushtim serbët e kanë shpërfaqur në takim me kryesuesin e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Izmi Zeka në
Shillovë, i cili i ka inkurajuar komunitetet që të jenë më aktive në proceset vendimmarrëse. Gjatë takimit me serbët e këtushëm lokalë, ai ka theksuar se vendimet e Kuvendit Komunal reflektojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe interesat e tyre, prandaj është shumë e rëndësishme që qytetarët të njihen me këto vendime dhe me punën e institucioneve komunale.
“Institucionet komunale kanë për obligim që të jenë sa më afër qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike, për të komunikuar drejtpërdrejt me ta dhe për t`i ndërtuar bashkë objektivat e së ardhmes”, ka thënë Zeka.
Kryesuesi i KK të Gjilanit i ka siguruar banorët serbë se asnjë vendim nuk do të merret në Asamblenë Komunale pa u konsultuar me komunitetin dhe përfaqësuesit e tij legjitim në institucione qeverisëse.
Vizita e Zekës në Shillovë është mirëpritur nga komuniteti serb, i cili është shprehur i gatshëm që të përfshihet në jetën institucionale dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie demokratike në Kosovë.
Zhivojin Gjakliq, përfaqësues i fshatit, ka kërkuar më shumë hapësira punësimi për të rinjtë e Shillovës, derisa vetë të rinjtë e këtushëm thanë se janë të gatshëm të integrohen në institucionet dhe shoqërinë kosovare.
Zeka ka premtuar se në këtë drejtim do të punohet bashkërisht, në mënyrë që të krijohen sa më shpejt mundësi për punësimin e të rinjve, por i ka rikujtuar ata se papunësia është një problem madhor jo vetëm në Gjilan, por edhe në rajon. Zeka ka vizituar edhe komunitetin rom në lagjen “Dheu i Bardhë”, ku është interesuar për jetesën e romëve në këtë pjesë të qytetit. Galip Hyseni, përfaqësues i komunitetit rom në këtë lagje disa herë ka thënë se problem i romëve janë papunësia dhe varfëria, ndërsa siguria, liria e lëvizjes janë në nivelin e duhur, sikur e gjithë qytetarëve të tjerë.
Ndërkaq, kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka thënë se në organet komunale janë të përfaqësuar të gjitha komunitetet që jetojnë në komunën e Gjilanit, dhe ky përfaqësim është pasqyrë dhe manifestim i tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëveprimit e bashkëjetesës në Gjilan. Tashmë serbët, romët, turqit, janë pjesë e jetës publike e institucionale, ata lëvizin lirshëm, kryejnë shërbimet e tyre në institucionet komunale. Mirëpo, Mustafa i ka ftuar ata që të jenë plotësisht të integruar në realitetin kosovar në Gjilan, të bëhen pjesë e ecjes së përbashkët në proceset që janë të vlefshme njësoj për të gjithë. Mustafa ka nënvizuar bashkëpunimin e mirë edhe me komunat e reja – Parteshin dhe komunën e zgjeruar të Novobërdës













0 Komente
Behu i pari qe komenton kete artikul - Kosovalbaner.Com.