Hyrje » Lajmet » Kosova »

Presidenti, më vonë për kandidaturën në LDK

 

Fatmir Sejdiu tha se tash për tash nuk do ta shpallë kandidaturën për Kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pavarësisht propozimeve që vijnë nga një pjesë e Kryesisë që ai të kandidojë sërish për këtë post.
Presidenti tha se dëshiron ta presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Para se të marrë vendim Gjykata Kushtetuese, nuk dua të flas nëse do të kandidoj apo jo sërish për Kryetar të LDK’së”, tha Sejdiu për RTK’në.
Në këtë intervistë, Presidenti ka folur për herë të parë edhe për zhvillimet më të fundit në partinë e tij, LDK, siç është paralajmërimi i Ukë Rugovës për hyrje në politikë dhe ambiciet e Bujar Bukoshit për t’ia zënë postin në parti.

“Për mua çdo njeri që ka moshë madhore, e ka të drejtën e aderimit në parti politike. Për mua kjo gjë është normale. Është çështje e lirisë individuale dhe e afrisë politike që e gjen në një parti”, tha Presidenti Sejdiu, kur foli për inkuadrimin në LDK të djalit të Presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.

Normale ai i quajti edhe përpjekjet e Ministrit aktual të Shëndetësisë që të marrë kreun e LDK’së.

“Është çështje e njerëzve për të shprehur kandidaturat dhe projektet. I takon LDK’së dhe anëtarësisë së saj që të marrë vendime të caktuara. S’dua të paragjykoj asgjë”, tha Kryetari i ngrirë i LDK’së.

Por, ndryshe nga paraqitjet politike ku shfaqet indiferent ndaj zhvillimeve në LDK, Presidenti po merret intensivisht me zhvillimet e fundit. Burime të gazetës thonë se ditë më parë, pasi që ka dëgjuar për ambiciet e Bujar Bukoshit, ai ka shqyrtuar mundësinë e shkarkimit të tij nga posti i Ministrit të Shëndetësisë. Por, plani i Presidenti dështoi pasi që Bukoshi shpalli kandidaturën për Kryetar të LDK’së.

Aktualisht, lufta kryesore mes dy pretendentëve për postin e Kryetarit të LDK’së – Fatmir Sejdiut dhe Bujar Bukoshit – është se kush do të arrijë t’i bëjë për vete figurat kryesore në parti, siç është Isa Mustafa apo Sabri Hamiti.

Të dy këto personalitete aktualisht mbeten neutralë.

Madje, Isa Mustafa edhe publikisht e ka deklaruar neutralitetin e tij, ndërkohë që Bujar Bukoshi kishte lënë të kuptohet se prapa tij qëndron Kryetari i Prishtinës.

Të premten, Ministri i Shëndetësisë tha se i takon Mustafës të zgjedhë.

“Ne nuk kemi nisë me ba kontrata me z. Mustafa”, ka deklaruar Bukoshi, për Express.

“Unë e kam shok atë, e kam mik”.

“Ai nuk është i pozicionuar dhe mirë është kështu, sepse nuk duhet të ketë formacione ushtarake. Ai vetë mund të vendosë se kënd do ta mbështesë – mua, z. Sejdiu apo vetveten”, ka shtuar Ministri i Shëndetësisë.

Ai ka uruar që të ketë më shumë kandidatë në garën për kreun e LDK’së.

“Ishalla do të ketë edhe kandidatë të tjerë dhe do të kalojmë një proces të rregullt e demokratik”.

Shprendaj
 
 

1 Komente ne kete artikull.

  1. Titi Istog thotë:

    lomsh lomsh krejt e hajt.

 
 

Komentoni dhe ju...

 



 
 
Sqarim:
Ndalohen  fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. Kosovalbaner.com mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit Kosovalbaner.Com

Ju faleminderit për mirëkuptimin!

 
 
 

Punuar nga: [VM] VisualMutation.Com