Hyrje » Lajmet » Kosova »

Letra mashtruese nga Jeremic

 

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremic nuk ndalet së dërguari letra për të siguruar shumicën e votave në Asamblenë Parlamentare të OKB’së.

Express ka siguruar një letër që është dërguar me konfidencialitet të plotë të mërkurën në adresë të Ministrit të Punëve të Jashtme të një vendi të BE’së që tashmë e ka pranuar Kosovën, duke kërkuar nga ky shtet që “përkundër dallimeve në opinione” të përkrahë rezolutën serbe që kërkon rifillim të negociatave statusore.

Letra e Jeremicit fillon me shprehje të keqardhjes që shteti i BE’së e ka pranuar Kosovën “pa siguruar marrëveshje me shtetin prind, Republikën e Serbisë, edhe pse Serbia respekton të drejtat suverene të çdo shteti”.

Më tutje, Jeremic vetëlëvdohet me diplomacinë serbe duke thënë se “Serbia është mbështetur vetëm në diplomaci për të tejkaluar efektet përçarëse të shkaktuara nga shpallja unilaterale e pavarësisë – në mënyrë krejtësisht të paparë ndonjëherë në Ballkan. Kjo është hera e parë në histori të rajonit që mjete ekskluzivisht paqësore janë përzgjedhur për të adresuar një çështje të një magnitude të tillë”.

Jeremic më tutje komenton mendimin këshillëdhënës të GJND’së, duke ofruar një interpretim të padëgjuar deri më tani.

Ai rekapitulon, jo fort saktë, se “GJND’ja ka vendosur shumë ngushtë ta shqyrtojë çështjen e gjuhës së Deklaratës së Pavarësisë, e cila nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare”, pastaj se, “GJND’ja ka konfirmuar se Rezoluta 1244 është në fuqi dhe aplikohet dhe se GJND’ja ka pohuar se Kosova nuk është rast i veçantë në botë”.

Më tutje, Jeremic argumenton se shteti mik i Kosovës, edhe nëse e ka pranuar pavarësinë, po ashtu do të duhej të aprovonte rezolutën serbe, sepse, sipas fjalëve të Jeremicit, “vota pro rezolutës nuk është jokonsistente me pranimin e pavarësisë”.

Në vazhdimin e letrës, Jeremic përsërit edhe qëndrimin serb se, “përkundër mendimeve të ndryshme që kemi rreth pavarësisë së Kosovës, do të duhej të pajtohemi se e tërë bashkësia ndërkombëtare është e rrezikuar nëse ndonjë lëvizje tjetër separatiste e përdor modelin e Kosovës”.

Jeremic kërcënon se, “nëse Kosova konfirmohet si precedent, atëherë edhe fati i shumë anëtarëve të OKB’së është i rrezikuar”.

Sipas tij, “për ta parandaluar një destabilizim të tillë botëror që shkakton separatizmi, rezoluta serbe propozon që secesioni unilateral nuk mund të jetë mënyrë e zgjidhjes së problemeve në shekullin XXI”.

Jeremic vazhdon duke bindur homologun e vet se Serbia është vetëm për dialog, duke shtuar tutje se “rezoluta po ashtu krijon një mundësi për të adresuar rëndësinë e bashkëpunimit në rajon dhe në mbarë globin, nëpërmjet dialogut paqësor, e cila është mënyra e vetme të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme dhe të mirë për Kosovën që kënaq të gjitha palët”.

Letra e Serbisë, e dërguar më 2 shtator, përfundon me një ankesë të Jeremicit për fatin e Serbisë. “Siç mund të imagjinoni, Serbia është ballafaquar me sfida të jashtëzakonshme dy vitet e fundit. Kemi punuar me vigjilencë dhe mund të menaxhojmë efektet e këqija të shpalljes unilaterale në mënyrë jokonfrontuese, me një ide se nëse i identifikojmë dhe kompartmentalizojmë (ndajmë) dallimet me shtete që kanë pranuar Kosovën para se të krijohet një marrëveshje midis lidershipit të saj dhe Qeverisë së Serbisë”.

Fundi i letrës është shkruar me vetë dorën e Jeremicit, i cili e porosit homologun e tij me fjalët: “Mik i dashur, po shpresoj se e kuptoni vështirësinë që kemi në Serbi me këtë çështje” dhe se është i bindur se më një qëndrim konstruktiv në OKB, krijohet një e ardhme europiane për tërë Ballkanin.

Shteti i cili e ka pranuar këtë letër tashmë ka bërë analizën ligjore të mendimit të GJND’së dhe draftrezolutës serbe dhe vendimin e ka të prerë – do të votojë kundër rezolutës së Serbisë, pavarësisht kësaj letre të Vuk Jeremicit.

Shprendaj
 
 

2 Komente ne kete artikull.

  1. Gazi_Fin thotë:

    O TI VUK JEREMIQI TI NIME ME TE PERKTHY NE SHQIP DEL QE JE UK PO EDHE NAJ DIT SKI KON E HAN MU VEQ KI ME HANGER KRYET TAN VALLA SE NUK TE KA MET SEN TJETER VEQ ME LEH QISHTU EDHE NAJ DIT HALLALL SHTETIT QE KA SHPREH MENDIM TE KUNDERT ME REZOLUTEN SERRBE RESPEKT

  2. MuratFerizaji thotë:

    Pom vjen shum cudi me ket njeri a shum i shkathte edhe krejt boten e ka kundra vetes edhe lufton nen stop.Po me pas na skender hysenin si ky besoj qe ishin harru njohjet krejt moti ish mbyll kjo qeshtje

 
 

Komentoni dhe ju...

 



 
 
Sqarim:
Ndalohen  fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. Kosovalbaner.com mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit Kosovalbaner.Com

Ju faleminderit për mirëkuptimin!

 
 
 

Punuar nga: [VM] VisualMutation.Com