KEK-u – Ferizaj 3:1 (0:1)
Skuadra e KEK-ut ka përmbysur epërsinë 1:0 për të fituar ndeshjen e javës së pestë të Raiffeisen Superligës. KEK-u të shtunën në Kastriot mposhti Ferizajn me rezultat 3:1. Ferizaj kaloi në epërsi që në minutën e tretë të takimit. Venhar Sermaxhaj shënoi nga afërsia pasi mori një top nga Ertan Hasan. Në pjesën e dytë vendasit arritën të shënojnë tri herë përmes Gëzim Gashit, Valon Aliut dhe Florim Bërbatovcit. KEK-u golat i shënoi pasi Ferizaj mbeti me një futbollist më pak në fushë.
Në minutën e 63-të, Sermaxhaj u përjashtua pas ndëshkimit me kartonin e dytë të verdhë. Tre minuta më vonë, Gashi barazoi shifrat në 1:1. Ai shënoi nga krahu i majtë, kur pas një tentimi për të krosuar paraboloi portierin Afrim Ajdini.
Në minutën e 73-të, “elektricistët” kaluan në epërsi 2:1. Aliu shënoi me kokë nga afër. Ai shfrytëzoi një top të kthyer nga traversa, të cilën e qëlloi Lulzim Dushlaku, po ashtu me kokë. Në minutën e 81-të, Berbatovci mori një top në zonë, kaloi edhe portierin dhe shënoi në portë të zbrazët për të vendosur rezultatin përfundimtar.













0 Komente
Behu i pari qe komenton kete artikul - Kosovalbaner.Com.