Hyrje » Lajmet » Lugina e Preshevës »
Shpërbëhet koalicioni i qeverisjes lokale në Preshevë
Preshevë, 11 maj – Ndonëse ende pa ndonjë qëndrim zyrtar, përfaqësuesit e partive politike në Preshevë kanë kumtuar të hënën shpërbërjen e koalicionit qeverisës në këtë komunë.
Partia e Unionit Demokratik Shqiptar, e prirë nga Rahmi Zulfiu, ka dalë ditë më parë nga qeverisja komunale e Preshevës, ndërkohë që partitë e tjera në koalicion – Partia Demokratike Shqiptare e Ragmi Mustafës dhe Bashkimi Demokratik i Luginës e Skënder Destanit – janë duke zhvilluar bisedime me partinë opozitare të Orhan Rexhepit, Lëvizja Kombëtare Shqiptare, për ta inkuadruar atë në koalicionin e ri të qeverisjes lokale në Preshevë.
Që nga maji i vitit të kaluar qeverisjen lokale në Preshevë e kanë udhëhequr partitë e koalicionit Partia Demokratike Shqiptare – Bashkimi Demokratik i Luginës – Unioni Demokratik Shqiptar, me gjithsej 21 këshilltarë komunalë, nga 38 këshilltarë, sa ka Asambleja Komunale e Preshevës.
Për qeveri është e nevojshme shumica prej së paku 20 këshilltarë.
Në zgjedhjet e fundit lokale në Preshevë, Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit ka marrë 13 këshilltarë, Partia Demokratike Shqiptare e Ragmi Mustafës 12, Bashkimi Demokratik i Luginës e Skënder Destanit 5, Unioni Demokratik Shqiptar i Rahmi Zulfiut 4, ndërsa nën firmën e Grupit të Qytetarëve, Lëvizja Kombëtare Shqiptare e Orhan Rexhepit ka fituar 2 këshilltarë, ndërsa serbët lokalë (Lista Serbe për Preshevën) gjithashtu kanë 2 këshilltarë komunalë.
Sipas burimeve të “KD-së” seanca e radhës e Asamblesë Komunale të Preshevës është paraparë të mbahet të enjten, ku do të konstituohet qeverisja e re lokale. Po të njëjtat burime bëjnë të ditur se gjatë kësaj seance do të bëhet edhe ndërrimi i zv/kryetarit të komunës, dy anëtarë të Këshillit Komunal dhe drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, poste këto të partisë së dalë nga koalicioni (UDSH).
Siç mëson “KD-ja” nga burime brenda partive politike, ato bëjnë të ditur se PDSH-ja dhe BDL-ja kanë filluar menjëherë bisedimet dhe shpresojnë se në seancën e radhës do të arrijnë ta konstituojnë qeverisjen e re lokale në Preshevë, me liderin e LKSH-së, Orhan Rexhepi, me një këshilltar të PVD-së dhe me një këshilltar të UDSH-së, me numër këshilltarësh, çka tregon funksionimin normal të kësaj asambleje komunale, sipas tyre.
Për konstituimin e qeverisjes lokale në Preshevë duhet numri i së paku njëzet këshilltarëve komunalë, kurse PDSH-ja dhe BDL-ja së bashku me LKSH-në kanë gjithsej 19 këshilltarë.
Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Serbisë është shpallur jokushtetuese dispozita e ligjit mbi vetadministrimin lokal në bazë të të cilit bartës i mandatit ishte partia e jo këshilltari, ndërsa këtë vit kjo dispozitë e ligjit është shpallur jokushtetuese dhe mandati përsëri i është kthyer këshilltarit që të ketë mandatin e vetëvendosjes gjatë ecurisë së punës në Asamblenë Komunale.













0 Komente
Behu i pari qe komenton kete artikul - Kosovalbaner.Com.