E dridhi pak…
Kosovarët edhe më tutje duhet t’u kthehen metodave antike të parashikimit të tërmeteve. Sa herë që kuajt, minjtë apo qentë hallakaten, gjasat janë shumë të mëdha që të ketë termet. E sa për Institutin Sizmologjik të Kosovës, tërmeti i së mërkurës i shkallës 5.2 të Rihterit nuk kishte ndodhur kurrë. Aq më pak kur zyrtarët e këtij Instituti tash e disa ditë kanë propaganduar se një gjë e tillë nuk ka shans të ndodhë në Kosovë.
Në këtë mënyrë ata kishin përgënjeshtruar paralajmërimet e errëta të sizmologëve serbë dhe malazezë për mundësinë e dridhjeve të tokës në Gadishullin Ballkanik.
E pikërisht në ditën kur Shemsi Mustafa, shef i Rrjetit Sizmologjik të Kosovës, me shumë kompetencë deklaroi për një gazetë të përditshme se kosovarët nuk kanë nevojë të shqetësohen shumë nga deklarata e sizmologëve serbë dhe malazezë, ndodhi tërmeti.
As dridhjet që tundën të gjitha shtëpitë e kosovarëve nuk ia ka ndryshuar mendjen Mustafës. Ai qëndron prapa deklaratave të veta. “Deri sot nuk është gjetur asnjë formulë që i parasheh tërmetet”, vlerëson ai.
Me ose pa paralajmërime, tërmeti ndodhi. Sipas sizmografëve të Rrjetit Sizmologjik të Kosovës, tërmeti ndodhi në orën 14:38 minuta, me epiqendër gjashtë kilometra në juglindje të Istogut. “Tërmetin e kanë ndier banorët e rrethit të gjerë të Pejës, Istogut dhe tërë territori i Kosovës. Ende nuk dihet për dëme në njerëz dhe materiale”, thotë Mustafa.
Sipas tij, çdo termet përcillet me pasgoditje, por të cilat janë të një intensiteti më të vogël. Ndërkaq, dridhja e tokës, që është ndjerë në tërë territorin e vendit, ka shqetësuar qytetarët, derisa kohëzgjatja e tërmetit ishte rreth 5 sekonda. Pas tërmetit, rrjetet telefonike janë paralizuar për disa minuta, duket për shkak të ngarkesës.
Menjëherë pas tërmetit të ndodhur në Kosovë pothuajse të gjitha institucionet qeveritare dhe ato ndërkombëtare që veprojnë në vend kanë lëshuar zyrat e tyre.
Punëtorët e Postës së Kosovës po ashtu kanë dalë jashtë ndërtesës, të frikësuar nga dridhjet. Si për çudi, ditë më parë punëtorët e Postës kishin ushtruar largimin nga ndërtesa në rraste emergjente.
Shumë shkolla i kanë lëshuar nxënësit në shtëpi edhe për shkak të rrezikut të përsëritjes së dridhjes. Ndërkohë, në rajonin e Mitrovicës janë regjistruar disa dëme materiale nëpër shtëpi banimi dhe ndërtesa kolektive.
“Në disa shtëpi kolektive, që kanë qenë të vjetra në lokacionin e Stan Tërgut, ka pasur dëmtime të tyre dhe më së shumti dëme ka pësuar një shtëpi. Po ashtu sipas raporteve të para dëme ka pësuar edhe Stacioni Jugor i Policisë së Kosovës, ku janë vërejtur disa plasaritje në katin e dytë të ndërtesës së këtij stacioni”, thotë Ylber Durmishi,
drejtor i Drejtorisë për Emergjenca në Komunën e Mitrovicës.
Ndërkaq, sizmologët serbë kanë thënë se epiqendra e tërmetit ishte afër Zubin Potokut. Aty afër gjendet edhe liqeni më i madh artificial në Kosovë, ai i Gazivodës.
Ndërkohë, në vitin 2002 në Kosovë, në rajonin përreth Gjilanit ishte regjistruar tërmet me intensitet prej 5,3 ballë sipas Rihterit.
Kuvendi i Kosovës ndau atë kohë 5 milionë euro. Komuna e Gjilanit ishte përfituesja më e madhe për shkak se edhe dëmet ishin më të mëdha. 3 milionë e 700 mijë euro u dërguan në buxhetin e kësaj komune.
Ndërsa vitin e kaluar në Shqipëri ka pasur goditje prej 5,7 ballë të Rihterit.
Rrjeti Sizmologjik i Kosovës thotë se zonat sizmike në Kosovë janë trekëndëshi Viti, Gjilan, Ferizaj si dhe Prizren, Pejë dhe veriu i Mitrovicës.
Ditë më parë tërmete të njëpasnjëshme kanë goditur edhe Turqinë e Greqinë, ku janë regjistruar edhe viktima e dëme materiale.
Lëkundjet sizmike në Kosove janë të rralla dhe relativisht të lehta. Në Ballkan zona më sizmike është në Turqi e Greqi.
Megjithatë, së fundi toka ka pësuar një lëkundje të fortë nga tërmeti i fuqishëm 8.8 ballë që goditi Kilin, çka ka zhvendosur disa qytete dhe vetë tokën nga boshti i saj.
Gjatë këtij viti ka pasur mjaft lëkundje sizmike në gjithë botën, por gjithsesi Ballkani është larg unazës së zjarrit që gjendet në Paqësor, e cila është zona më e rrezikuar nga tërmete e vullkane të fuqishme.
Nuk do të ketë tërmet katastrofal
Paralajmërimet që ka bërë Instituti Sizmologjik i Republikës së Serbisë, për akumulim të energjisë sizmike, sipas drejtoreshës së këtij Instituti, Slavica Radovanovic, mbështeten në kërkimet që janë kryer brenda disa viteve. Sipas saj, këto paralajmërime janë hiperbolizuar nga mediet. Radovanovic heq dilemat se në Rrafshin e Dukagjinit nuk mund të ndodhin tërmete katastrofike.
“Do të thotë nuk duhet tepruar, nuk parashihet ndonjë katastrofë si po i shohim tash nëpër vise të botës, asgjë të tillë nuk parashohim, do të thotë se në Dukagjin nuk mund të ndodhin tërmete me pasoja katastrofike”.
Slavica Radovanovic, drejtoreshë e Institutit Sizmologjik të Republikës së Serbisë,
përmend tërmetin e vitit 1962 në Pejë, i cili pat rrënuar një minare. Bazuar në këtë, tërmeti i atëhershëm ishte dhjetë herë më i fuqishëm sesa ai që ndodhi sot në rajonin e Pejës dhe afërsi të Istogut, thotë ajo.
Zonja Radovanovic thotë se matjet do të vazhdojnë dhe më vonë mund të konkludohet nëse tërmeti që ndodhi sot ishte ai kryesori për të cilin Instituti që ajo drejton kishte paralajmëruar.
“Bazuar në matjet që do t’i bëjmë në vazhdim, do të mund ta parashikojmë se a ishte ky tërmeti kryesor që është pritur apo mund të ketë edhe një tërmet diç më i fuqishëm”, ka deklaruar ajo.
Zonat Sizmike në Kosovë:
1. Veriu i Mitrovicës,
2. Peja
3. Prizreni
4. Gjilani
5. Ferizaj
6. Vitia













0 Komente
Behu i pari qe komenton kete artikul - Kosovalbaner.Com.